Gjenerali amerikan i cili udhëhoqi bombardimet e NATO-s në luftën në Kosovë, Wesley Clark, do të vizitojë Kosovën të mërkurën, njofton Insajderi.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, derisa uroi Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuata të Amerikës.
“Në këtë ditë të veçantë, kur po festojmë 4 Korrikun – Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë të ju njoftoj se me ftesën time zyrtare, më datën 7 Korrik, në Ministrinë e Mbrojtjes, do të vijë në vizitë gjenerali historik amerikan, heroi ynë Wesley Clark”, ka thënë Mehaj.
Ai mes tjerash njoftoi se Clark do të pritet me nivelin më të lartë ceremonial ushtarak dhe do të takojë të gjithë liderët shtetërorë.
“Gjeneral Clark do të pritet me nivelin më të lartë ceremonial ushtarak dhe atë të protokollit shtetëror dhe do të pritet nga të gjithë liderët tanë më të lartë shtetëror”. /Insajderi.com