Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani se e ka shkarkuar nga kjo pozitë për hakmarrje politike si dhe për të krijuar rrethana të favorshme për bashkëshortin e saj, i cili tashmë është shef i përkohshëm i Ambasadës deri në emërimin e ambasadorit të ardhshëm kosovar në Shkup, njofton Insajderi.
Në letrën publike drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryeparlamentarit Glauk Konjufca, presidentes Vjosa Osmani dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, Dedaj ka thënë se shkarkimi i 12 ambasadorëve të Kosovës, përfshirë edhe atë, është bërë pa asnjë njoftim dhe justifikim.
“Ndonëse isha i provokuar rëndë, pa dashur të flas për sakrificat dhe meritat e mia, tashmë skajshmërisht të banalizuara në shoqërinë tonë reagimi im në këtë rast ishte proporcional me aktin e nxitjes, degradimit, dëmtimit të integritetit tim, prestigjit dhe shëndetin tim dhe familjes sime”, ka shkruar ndër të tjera Dedaj.
Ai tutje është shprehur se nuk kërkon ta përmbyll mandatin “siç ma lejon dekreti, deri në dhjetor të vitit 2022”, por ka thënë se kërkon të njëjtin trajtim sit ë 11 ambasadorëve të tjerë./Insajderi.com