Duke qenë një politikan kanadez dhe disident rus, profesori i Harvard-it Michael Ignatieff ka folur troç në një intervistë në “Huffington Post”, për rolin e SHBA-së në krizën evropiane të refugjatëve duke i cilësuar SHBA-të si indiferentë në këtë krizë.
Si njohës i mirë i politikave amerikane në raport me Rusinë dhe Evropën, Ignatieff ka thënë se Gjermania është duke e luajtur rolin kyç në krizën evropiane dhe se asaj i bie barra që ta menaxhoj këtë krizë.
Por për ta bërë këtë sipas Ignatieff, Gjermania duhet seriozisht të nisë riatdhesimin e refugjatëve të cilët nuk i përmbushin kriteret e azilit.
“Një nga dilemat në Gjermani sa i përket situatës së refugjatëve është se ky shtet po merr shumë refugjatë dhe 50 për qind të tyre nuk i plotësojnë kushtet për të qenë refugjatë. E megjithatë këta njerëz nuk po kthehen. Gjermania duhet t’i vendos këta njerëz në aeroplan dhe t’i dërgoj prapa në Kosovë, Nigeri apo kudo tjetër prej nga vinë”, ka thënë Ignatieff, raporton Insajderi.
Për Ignatieff, pranimi i 250 mijë refugjatëve nga ana e Gjermanisë është një politike bujare, por gjithashtu duhet të fillojë t’i kthejë të tjerët nëpër shtëpitë e tyre.
“Kjo është e vështirë për Gjermaninë. Është e vështirë për çdo vend. Por kjo duhet të bëhet nga të gjithë së bashku nëse dëshirojmë një politikë të tillë që do ta lejojë mbijetesën e projektit evropian. Nëse nuk merren këto masa së shpejti, do të jetë tepër vonë nëse veprohet ngadalshëm”, ka thënë Ignatieff.
Kujtojmë se një nga kriteret e Bashkimit Evropian për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave është riatdhesimi. Sipas raportit zyrtar të BE-së, Kosova ka përmbushur gjashtë nga shtatë kriteret në fushën e azilit, raporton Insajderi.
“Për të qenë plotësisht në pajtim me kërkesat në fushën e azilit, Kosova duhet të monitoroj arsyet e normës së saj të ulët të njohjes për azil-kërkuesit”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.
Në anën tjetër, Ignatieff, duke folur për vendet lindore pjesë të BE-së, ka thënë se nuk mund të pritet prej tyre që të marrin më shumë refugjatë.
“Por edhe Britania për shembull i merr refugjatët direkt nga kampet. Francezët kanë problemet e tyre, sidomos pas ngjarjeve të Parisit dhe Italia që është ngulfatur e që nuk mund të marrë më asnjë refugjatë”, ka thënë Ignatieff.
Sipas tij, Gjermania ka çdo të drejtë të thotë se ka bërë një gjest historik humanitar, por edhe se ka limitet që nuk mund t’i tejkalojë.