Gjermania kundër hartave të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor

Gjermania kundër hartave të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, janë deklaruar në një konferencë për media pas takimit të mbajtur sot me ardhjen e ministrit Maas në Kosovë. Ata bënë të ditura temat për të cilat kanë diskutuar, duke mos lënë pa përmendur “riorganizimin e kufijve të Ballkanit Perëndimor të vizatuar në dokumentin e qeverisë sllovene ditë më parë.

Në këtë konferencë, që të dy u pyetën për këtë dokument të publikuar nga mediat në Ballkan se qeveria e Sllovenisë ka bërë një riorganizim të Ballkanit Perëndimor sa i përket kufijve.

Ministri Maas tha se ky dokument ka marrë emrin e duhur ‘Non Paper’, derisa tha se Gjermania shprehet kundër konstatimeve të tilla.

“Kjo duhet të mbetur një “Non Paper”, konstatimi që përmban për ndryshimin e kufijve janë të tilla që qeveria gjermane i refuzon dhe gjatë debatit të fundit në Bashkimin Evropian është shprehur një mendim që brenda BE-së askush nuk do të mund ta imagjinonte që kjo do të bëhej realitet”, ka thënë Maas.

Ndërkaq, presidentja Osmani tha se përgjgigja që kanë marrë nga qeveria e Sllovenisë është se një lajm i tillë është i pavërtetë.

“Përgjigja që kemi marrë nga autoritet sllovene është që një lajm i tillë nuk është i vërtetë. Ide të tilla i takojnë shekullit 19 prandaj edhe nuk do të duhej të gjenin vend në Evropë, sepse vizatimi në baza etnike qëndron në kundërshtim me qëndrimin e Bashkimit Evropian. Dua të shpreh falënderimin për Gjermaninë që ka qenë mbështetëse që ide të tilla të mos gjenin diskutim as në tavolinën e dialogut”.

Kryediplomati gjerman tutje shprehi qëndrimin e tij sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, për çka thotë se një ndër elementet e zgjidhjes së këtij procesi është njohja e shtetësisë së Kosovës.

“Natyrisht që njohja e Kosovës do të jetë njëra nga elementet e zgjidhjes, përndryshe nuk do të ketë një përfundim. Unë dëshiroj që në fund të procesit të gjenden zgjidhje për të gjitha çështjet dhe të gjendet rrugë për të gjetur kompromise që marrëdhëniet e këtyre dy vendeve të gjejnë në rrugë të përbashkët”, u shpreh ai.

Shefja e Shtetit në këtë adresim për media, njoftoi se çështjet për të cilat u diskutua në takimin me ministrin Maas është sigurimi i vaksinave anti-COVID, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe dialogu Kosovë-Serbi, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Ashtu edhe siç biseduam me ministrin çështja e parë që diskutuam është menaxhimi i pandemisë. Shpresa interesimin e institucioneve të Kosovës të vazhdojnë bashkëpunimin me Gjermaninë për të pasur bashkëpunim lidhur me vaksinat”, ka thënë ajo.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën është një proces që Kosova ka plotësuar kriteret, tashmë presim nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që të ndërmarrin këtë hap, meqë qytetarët e Kosovës padrejtësisht po mbahen të mbyllur”.

“Çështja tjetër është dialogu me Serbinë. Republika jonë ka ofruar dorën e bashkëpunimin me Serbinë edhe pse kjo e fundit akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera. E informova ministrin që po bëjmë çmos që zëri ynë të ndihet për këto viktima. Natyrshëm presim që procesi i dialogut të përfundojë me një njohje reciproke”, ka përfunduar Osmani.

Një çështje tjetër që u shtrua në këtë adresim është edhe ndikimi rus në rajon për çka Osmani tha se vazhdon të jetë i mundur përmes Serbisë.

“Është bërë i mundur në këto fronte kryesore: Prej natyrës ekonomike, ushtarake dhe nëpërmjet vaksinave. Republika e Kosovës i ka qëndruar besnike orientimit të saj pro perëndimor, i ka qëndruar lojal Bashkimit Evropian duke mos pranuar vaksina. Është e rëndësishme që BE-ja ta mbajë fjalën sa i përket liberalizimit të vizave. Ne shpreosjmë shumë që Gjermania do të ndihmojë që ato pak shtete të lehtësojnë integrimin evropian të Kosovës”, ka thënë Osmani. /Insajderi.com