Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka ndaluar punimet për vënien në punë të gazsjellësit të diskutueshëm Nord Stream 2 pas veprimeve të Moskës në Ukrainën lindore.
Scholz njoftoi ndalimin e certifikimit të gazsjellësit nga Rusia ndërsa fliste së bashku me kryeministrin irlandez, Micheal Martin, në Berlin të martën.
Gazsjellësi, i cili do të rriste varësinë evropiane për energji nga Rusia, ka qenë një burim i madh grindjesh në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara për vite me rradhë.
Pa iu nënshtruar procesit të certifikimit ose miratimit, tubacioni nuk mund të fillojë të funksionojë.
Gazsjellësi midis Rusisë dhe Gjermanisë përfundoi shtatorin e kaluar, por nuk është ende në funksion.
Nord Stream 2 është projekt i përfunduar në partneritet mes kompanisë ruse Gazprom që ka në pronësi 51 për qind të aksioneve dhe disa kompanive gjermane, holandeze e franceze./Insajderi.com