“Gjiganti” RTK angazhon kompani private për programin festiv

“Gjiganti” RTK angazhon kompani private për programin festiv

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) nuk ia ka dalë që të përgatisë i vetëm programin festiv të Viti të Ri, që do të nisë natën e parë më 31 dhjetor dhe do të vazhdojë deri në orët e para të mëngjesit (20:30-01:30) të 1 janarit, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe pse shumë herë është kritikuar për numrin e madh të punëtorëve që ka, zyrtarët e Televizionit Publik kanë angazhuar kompani private për t’ia përgatitur këtë pjesë të programit. RTK-ja nëpërmjet një konkursi kishte kërkuar vepra audiovizuale.

Në ueb-sajtin e RTK-së thuhet se në bazë të nenit 12-paragrafet 2 dhe 6 të Ligjit Nr. 04/L-046 për Radiotelevizionin e Kosovës dhe nenit 5 të Rregullores për procedurat dhe kriteret në përzgjedhjen e përmbajtjeve audiovizuale të producentëve të pavarur RTK hap konkurs për vepra audiovizuale. Aty kërkohet të specifikohet edhe çmimi me të cilin garojnë kompanitë. Por aty nuk tregohet as kur është hapur ky konkurs e as kur do të mbyllet.