Gjilan: Dënohen me burgim tre të akuzuar për ndërhyrje në sisteme kompjuterike në SHBA

Gjilan: Dënohen me burgim tre të akuzuar për ndërhyrje në sisteme kompjuterike në SHBA

Gjykata Themelore në Gjilan i ka shpallur fajtor tre të akuzuar për veprën penale “hyrje në sistemet kompjuterike”, shkruan Insajderi.

Siç bëhet e ditur në komunikatën për media, njërit nga të akuzuarit L.I i është shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej tre vitesh e gjashtë muajsh si dhe gjobë prej pesë mijë euro.

Ndërsa, dy të akuzuarve të tjerë, L.SH dhe L.M janë gjykuar me nga tre vite burgim dhe gjobë prej tre mijë euro, secili veç e veç.

“I akuzuari L. I. nga viti 2011 deri më 4 gusht 2015, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me qëllim që t’i shkaktoi dëm personave të tjerë, ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemet kompjuterike të shfrytëzuesve të internetit kryesisht në SHBA përmes kompanisë Yahoo, duke kopjuar, vjedhur të dhëna të ndjeshme si të dhënat për llogari bankare dhe këto të dhëna i ka arkivuar në një server të veçantë, ashtu që ka përdorur ëeb faqen e krijuar për shitjen e programeve keqbërëse tek personat e ndryshëm, dhe ka pranuar pagesa nga shtetas të shteteve si Kina, Amerika, Rusia, Ukraina etj.,  në shumën prej 73.477,18 Euro, në emrin e tij dhe anëtarëve të ngushtë të familjes”.

“Të akuzuarit L. Sh. dhe L. M. nga viti 2014 deri në gusht 2015 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me qëllim që t’i shkaktoi dëm personave të tjerë, kanë ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemet kompjuterike dhe kanë përdor programe të ndryshme, duke arritur qasje në serverët e shtetasve të huaj dhe nga aty kanë arritur të vjedhin informata të kredit-kartelave dhe më pas këto informata i kanë shfaqur në një ankand online, disa nga këto i kanë tërhequr në Zvicër përmes H. K., ku në pajisjet elektronike të sekuestruara janë gjetur kredenciale – miliona e-mail nga mbarë bota, së bashku me fjalëkalimet, gjë që mundësojnë qasje në këto e-mail pa lejen e pronarit”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu të akuzuarve në fjalë, u janë konfiskuar disa llaptop, kompjuterë, telefona celularë, kartela bankare dhe një shumë e të hollave.

Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda ka refuzuar akuzën ndaj L. I., L. Sh. dhe L. M. për veprën penale “shmangie nga tatimi”, dhe ka liruar nga akuza për veprën penale “falsifikimi i letrave me vlerë dhe instrumentet e pagesës”, pasi që nuk është vërtetuar se kanë kryer këto vepra./Insajderi.com