11 milionë euro është borxhi të cilin e ka trashëguar qeverisja e re e komunës së Gjilanit.
Madje, xhirollogaritë e komunës ishin bllokuar gjatë shkurtit nga përmbaruesit.
Mirëpo, Drejtoria për Buxhet kishte arritur një marrëveshje për pagesën e një pjese të borxhit dhe ato ishin zhbllokuar.
Ai thotë se ish-qeverisja vetëm për ndërtimin e parkut të ri të qytetit kishte hyrë në shpronësime rreth 7 milionë euro.
“Nuk ka qenë në prioritet parku i ri i qytetit sepse duhet tani të paguhen 6 milionë deri 7 milionë euro për shpronësimet. Mandej ku janë investimet e tjera të cilat duhet të realizohen për atë park. Nga 11 milionë euro, 2 milionë euro janë borxhe që u kemi operatorëve të ndryshëm. Kur kam ardhur në zyre xhirollogaritë e komunës kanë qenë të bllokuara nga përmbaruesi për shkak të obligimeve që ka pasur komuna ndaj disa palëve. Vlera e obligimeve ka qenë 3 milionë e gjysmë euro. Me një lloj komunikimi me një lloj përkrahje kemi arritur një marrëveshje dhe 1 milion e 240 mijë euro do të paguhen tash”, ka thënë ai.
Si rrjedhojë, ai thotë se e kanë të pamundur të investojnë në të gjitha projektet e planifikuara.
“I kemi rreth 6 milionë euro për investime kapitale mirëpo për shkak të obligimeve e kemi të pamundur të realizojmë investimet ashtu siç i kemi planifikuar.”
Për këtë, ata kanë kërkuar ndihmë nga Qeverisë së Kosovës për eliminimin e borxheve.
LDK në Gjilan: “Ata nuk kanë dije por kanë zgjedhur të ankohen”
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdyl Aliu, arsyetohet se shpronësimi i 7 hektarëve tokë për ndërtimin e parkut të qytetit buron nga planet rregulluese.
Ai thotë se Gjilani ka nevojë për një park të ri dhe se është detyrë e organeve komunale që të programojnë pagesat ndaj pronarëve të cilëve u është marrë toka. Thotë se qeverisja e tanishme nuk ka vizion sesi duhet të procedohen këto çështje.
“Ne kemi implemntuar një vendim që buron nga plani urban. Ne kemi bërë marrëveshje me pronarët e tokës dhe kemi bërë planin dinamik për kryerjen e pagesave. Tash ata duhet të merren vesh dhe t’i paguajnë ngapak. Mirëpo ata nuk kanë dije por kanë zgjedhur të ankohen”, ka thënë Aliu.
Borxhi prej 11 milionë euro e bën Gjilanin komunën me vlerën më të lartë të borxheve.
Pas Gjilanit, vjen Ferizaj me 4.3 milionë, Mitrovica me 2.4 milionë dhe Rahoveci me afër 600 mijë euro./Insajderi.com