Gjilani i zhytur në borxhe shkaku i shpronësimeve, në rrezik investimet e reja

Gjilani i zhytur në borxhe shkaku i shpronësimeve, në rrezik investimet e reja

11 milionë euro është borxhi të cilin e ka trashëguar qeverisja e re e komunës së Gjilanit.

Madje, xhirollogaritë e komunës ishin bllokuar gjatë shkurtit nga përmbaruesit.

Mirëpo, Drejtoria për Buxhet kishte arritur një marrëveshje për pagesën e një pjese të borxhit dhe ato ishin zhbllokuar.

Drejtori, Riad Rashiti, deklaron se pjesa më e madhe e obligimeve burojnë nga shpronësimet të cilat janë bërë nga qeverisja e ish-kryetarit, Lutfi Haziri.

Ai thotë se ish-qeverisja vetëm për ndërtimin e parkut të ri të qytetit kishte hyrë në shpronësime rreth 7 milionë euro.

“Nuk ka qenë në prioritet parku i ri i qytetit  sepse duhet tani të paguhen 6 milionë deri 7 milionë euro për shpronësimet. Mandej ku janë investimet e tjera të cilat duhet të realizohen për atë park.  Nga 11 milionë euro, 2 milionë euro janë borxhe që u kemi operatorëve të ndryshëm.  Kur kam ardhur në zyre xhirollogaritë e komunës kanë qenë të bllokuara nga përmbaruesi për shkak të obligimeve që ka pasur komuna ndaj disa palëve.  Vlera e obligimeve ka qenë 3 milionë e gjysmë euro.  Me një lloj komunikimi me një lloj përkrahje kemi arritur një marrëveshje dhe 1 milion e 240 mijë euro do të paguhen tash”, ka thënë ai.

Si rrjedhojë, ai thotë se e kanë të pamundur të investojnë në të gjitha projektet e planifikuara.

“I kemi rreth 6 milionë euro për investime kapitale mirëpo për shkak të obligimeve e kemi të pamundur të realizojmë investimet ashtu siç i kemi planifikuar.”

Për këtë, ata kanë kërkuar ndihmë nga Qeverisë së Kosovës për eliminimin e borxheve.

Lista e komunave me më së shumti borxhe

LDK në Gjilan: “Ata nuk kanë dije por kanë zgjedhur të ankohen”

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdyl Aliu, arsyetohet se shpronësimi i 7 hektarëve tokë për ndërtimin e parkut të qytetit buron nga planet rregulluese.

Ai thotë se Gjilani ka nevojë për një park të ri dhe se është detyrë e organeve komunale që të programojnë pagesat ndaj pronarëve të cilëve u është marrë toka. Thotë se qeverisja e tanishme nuk ka vizion sesi duhet të procedohen këto çështje.

“Ne kemi implemntuar një vendim që buron nga plani urban. Ne kemi bërë marrëveshje me pronarët e tokës dhe kemi bërë planin dinamik për kryerjen e pagesave. Tash ata duhet të merren vesh dhe t’i paguajnë ngapak. Mirëpo ata nuk kanë dije por kanë zgjedhur të ankohen”, ka thënë Aliu.

Borxhi prej 11 milionë euro e bën Gjilanin komunën me vlerën më të lartë të borxheve.

Pas Gjilanit, vjen Ferizaj me 4.3 milionë, Mitrovica me 2.4 milionë dhe Rahoveci me afër 600 mijë euro./Insajderi.com