
2.3 milionë euro është borxhi i komunës së Gjakovës për këtë vit. E edhe ky borxh sipas kryetarit të kësaj komune, Ardian Gjini, është si shkak i qeverisjes së kaluar dhe faturave të papaguara.
Sipas tij, kjo komunë ka qenë e diskriminuar për shumë vite nga Qeveria e Kosovës.
Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se vetëm gjatë këtij viti kanë paguar 2.1 milionë të borxhit total që kanë pasur si komunë.
“Këtë vit i kemi kry deri tash, besoj që edhe në ditët që do të vijnë, do të rritet pagesa e borxheve. I kemi pagu diku 2.1 milionë euro borxhe të mbetura. I kemi edhe 2.3 milionë që na mbesin. I kemi pas diku 4.4 milionë përafërsisht borxhe të kontraktuara, fatura të papaguara. Ndërsa, borxhe të llojit kontraktual do të thotë kontrata të nënshkruara me operatorë, kemi pas që prej vitit 2009, 2013 dhe me tepër. Këtë vit i kemi kry diku pesë milionë euro, i kemi përmbyll këtyre borxheve kontraktuale”, ka shtuar Gjini.
Borxhet e projekteve të kontraktuara, Gjini thotë se i penalizojnë në projektet që vet si kryetar ka premtuar t’i realizojë.
Sipas institutit GAP, komunat të cilat janë të udhëhequra nga anëtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shpenzojnë më së shumti buxhet. Një gjë të tillë ka mohuar, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Sipas tij, kjo komunë ka qenë e diskriminuar nga qeveritë e kaluara.
Kabineti qeveritar para pak ditëve ka aprovuar projektligjin për shpronësimin e tokave dhe alokimin e tyre për zonën ekonomike amerikane.
Gjini thotë se kjo zonë do të ketë imput të jashtëzakonshëm në të gjithë rrafshin e Dukagjinit.
“Do të jetë një imput i jashtëzakonshëm për qytetin e Gjakovës, por jo vetëm për Gjakovën, por për të gjithë këtë pjesë të rrafshit të Dukagjinit për shkak se të gjitha komunat gravitojnë pothuajse në pjesën qendrore të rrafshit të Dukagjinit. E që është Gjakova, të gjitha komunat janë me largësi të barabartë prej Gjakovës… kjo zonë do të jetë një imput i jashtëzakonshëm për ekonominë e gjithë kësaj zonë, e edhe të Gjakovës jashtëzakonisht”, tha ai.
Gjini tha se janë 500 hektar tokë që janë ndarë për këtë zonë ekonomike dhe se investimet do të fillojnë gjatë këtij viti.
Ardian Gjini ka premtuar se gjatë këtij viti, do të përfundohet qarkorja, do të investohet në dhjetëra rrugë të Gjakovës, do të punohet në Kuvendin Komunal të Gjakovës, në amfiteatër, në lumin Krena dhe po ashtu ka premtuar edhe ngrohtoren me koogjenerim.