Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se lideri i partisë së tij, Ramush Haradinaj, do të jetë presidenti i ardhshëm i vendit, njofton Insajderi.
Sipas tij, Haradinaj është i duhuri për këtë pozitë shtetërore, ndërsa shton se këtë mendim e ndajnë edhe partitë e tjera politike.
“Aleanca beson që kryetari Haradinaj do të jetë president i ardhshëm i Kosovës. Nuk kemi vetëm arsye subjektive që mendojmë ashtu shumica prej nesh, por besoj që ka dhe shumë qytetarë të tjerë ose edhe në parti të tjera besojnë që Ramush Haradinaj do të ishte gardian i kushtetutshmërisë si kreu i shtetit të Kosovës. Ne jemi të sigurtë që në këtë fazë Kosova nuk mund të ketë një kandidat të denjë për atë pozitë dhe kjo është arsyeja pse ne besojmë fuqishëm dhe insistojmë që kjo të ndodhë. Ne duhet të shkojmë në zgjedhje dhe duhet të punojmë që me dalë sa më mirë, dhe gjasat janë reale që të dalim mirë, por jemi duke hyrë në garë dhe kur hyjmë në garë hapen opsionet dhe hapen letrat”, deklaroi Gjini për KP.
Kryetari i Komunës së Gjakovës nuk beson se AAK-ja do të jetë para një situate ku do të duhet të heqë dorë nga posti i presidentit vetëm për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme, e cila do të dalë pas zgjedhjeve.
“Nuk besoj që do të jemi në rrethana të tilla (të heqim dorë nga presidenti për të qenë pjesë e qeverisë). Patjetër që janë situata të ndryshme, por nuk besoj që duhet të zgjedhim. Ne do të insistojmë që t’ia japim Kosovës një president i cili i bën nder dhe i cili do të jetë gardian, mburojë e kushtetutshmërisë, ligjit dhe funksionimit të shtetit të Kosovës”, vijoi ai.
Tutje, Gjini shtoi se Aleanca është e gatshme të hyjë e vetme në zgjedhje, por duke i lënë derën e hapur partive më të vogla që duan të bëhen pjesë e listës së AAK-së.
“Ashtu siç qëndrojnë punët tani ne jemi të gatshëm të shkojmë vetëm, nuk di nëse në ditët që vijnë do të ketë afrim të ndonjë partie më të vogël që dëshiron të ketë koalicion. E ka thënë edhe kryetari Haradinaj që ne jemi të hapur, por besojmë që kësaj radhe kryesisht duhet të fokusohemi në fuqinë e Aleancës.
Votuesit kosovarë do t’i drejtohen kutive të votimit në fillim të vitit të ardhshëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që doli me vendim se vota e deputetit Ethem Arifi që ishte vendimtare për Qeverinë Hoti është e pavlefshme pasi në momentin e votimit ai ishte shpallur fajtor nga gjykata për mashtrim me subvencione./Insajderi.com