Gjini: Me Serbinë do të negociohen tema të cilat i kemi konsideruar të mbyllura

Gjini: Me Serbinë do të negociohen tema të cilat i kemi konsideruar të mbyllura

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka thënë se gjatë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë negociata për shumë tema, të cilat janë konsideruar të mbyllura, njofton Insajderi.

“Sipas të gjitha gjasave, do të kemi negociata për shumë tema me Serbinë, nuk është vetëm çështja e Ujmanit, tema këto të cilat kanë qenë të mbyllura, të cilat ne i kemi konsideruar të mbyllura”, ka thënë Gjini në Emisionin ‘Interaktiv’.

Këtë deklaratë ai e ka bërë teksa është pyetur rreth çështjeve që i kishte cilësuar “vështirë të riparueshme” që mund të ndodhin, kur janë në pyetje raportet mes partnerëve të koalicionit.

“E kemi thënë disa herë që dialogu, që ne po i themi dialog, por që në të vërtetë janë negociata… ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme, mund të prodhojnë situata zor të riparueshme, normale që një gjë e tillë mund të shkaktojë nervozë dhe kërkesë për sqarime. Të gjitha duan të jenë të informuar”.

Më pas Gjini ka shtuar se “secili nënshkrim në marrëveshje duhet të stërhollohet seriozisht dhe për të të arrihet marrëveshje me partnerët e koalicionit”.

Gjini ka shtuar se ndonëse nuk ka “rrethanë mosbesimi” për vullnetin e dikujt, por gjithçka duhet të kalojë përmes parlamentit./Insajderi.com