Në kuadër të aksionit 3 mujor për pastrimin e Kosovës përveç eliminimit të deponive ilegale të mbeturinave dhe rehabilitimit të tyre, po synohet edhe krijimit të zonave të reja të gjelbërta.
Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën’ që ka filluar më 15 shtator, ka qëllim vetëdijesues për qytetaret e vendit që të mos hedhin mbeturina, pasi që do të ndëshkohen.
Sipas zyrës së ushtruesit të detyrës së MMPH-së, Fatmir Matoshi për Kallxo.com ka thënë se qytetaret që hedhin mbeturina në vende të pacaktuara do të gjobiten me shumë nga 20 deri në 100 euro.
“MMPH tani është në fazën finale të plotësim ndryshimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore, sipas të cilat të gjithë ata që hedhin mbeturina në vende të pacaktuara do të gjobiten me gjoba nga 20 deri në 100 euro. Zbatimi i këtij udhëzimi do të mundësojë që të mos kthehemi përsëri në gjendjen e mëparshme”, ka thënë këshilltari politik i Matoshit, Leutrim Sahiti.
Ai ka thënë se gjoba prej 20 euro do të jetë për hedhje të cigareve, çamçakëz, lëvore të farave. Ndërsa, gjoba prej 100 euro është për personat që kryesisht dëmtojnë natyrën.
“Gjoba më e ulët është 20 euro për personat që hedhin cigare në rrugë ose në sipërfaqe publike, hedhë çamçakëz ose lëvore të farave në sipërfaqe publike kurse gjoba më e lartë 100 euro është për personat që hedhin mbeturina në lumenj, mbeturina të vajit në sipërfaqe publike, natyrë ose lumenj, djegin mbeturina komunale, goma etj”, ka thënë Sahiti.
Sipas MPPH-së, të gjithë ata shkelës që hezitojnë të paguajnë gjobën do të përballen me përmbarues privat.
Gjithashtu kanë informuar se u.d i Minstri i MMPH-së, Fatmir Matoshi do të ketë fushatë një javore vetëdijësuese për qytetaret e vendit, ku mund të informohen për gjobat në rast se bien në kundërshtim me këtë udhëzim.