Gjobiten pesë furrtarë në rajonin e Prishtinës

Gjobiten pesë furrtarë në rajonin e Prishtinës

Zyrtarët e Agjencisë së Metrologjisë, në mbështetje nga Inspektorati i Tregut sot kanë vazhduar me mbikëqyrjen metrologjike në rajonin e Prishtinës, gjegjësisht Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq ku kanë bërë mbikëqyrjen e peshës së bukës dhe deklaracionit të mallit.

Gjatë mbikëqyrjes ka rezultuar me gjetjen e shkeljeve ligjore në 5 subjekte (furra të bukës), ku gjatë mbikëqyrjes ka pasur mos përputhje të peshës së bukës dhe deklaracionit.Në katër furra ka pasur mungesë të deklaracionit, që nënkupton se këto subjekte nuk e kanë deklaruar peshën e bukës që e shesin nëpër rafte, derisa tek një subjekt tjetër ka rezultuar mos përputhje e peshës së bukës me deklarimin që ka paraqitur subjekti.

Me këtë rast janë shqiptuar 5 masa ndëshkuese ndaj subjekteve, ku janë gjetur shkelje, të natyrës së mos deklarimit të mallit dhe mos konformitetit të peshës së bukës. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, gjegjësisht, Agjencia e Metrologjisë, do të vazhdojë mbikëqyrjen metrologjike edhe në ditët e ardhshme nëpër të gjithë Territorin e Republikës së Kosovës, për ta mbikëqyrur gjendjen ekzistuese në terren.