Gjoshi i PDK-së e quan “kryemashtrues” Kurtin: Më përpara shkon në Norvegji se në Deçan

Gjoshi i PDK-së e quan “kryemashtrues” Kurtin: Më përpara shkon në Norvegji se në Deçan

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi e ka quajtur “kryemashtrues” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti  duke thënë se ai më përpara shkon në Norvegji se në Deçan ku mbi 900 persona dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm në këtë komunë, shkruan Insajderi.

Gjoshi në Facebook ka shkruar se i pari i Qeverisë së Kosovës nuk po dëshiron të lodhet e të shkojë deri në Deçan, ndërsa sipas tij ai na paraqitet si njëri i afërt me qytetarin e thjeshtë e të varfër.

“Kurti duhet t’i vizitojë të helmuarit atje dhe ta shoh nga afër gjendjen në spitalin e këtij qyteti”, ka deklaruar ai.

Gjoshi gjithashtu thotë se Kurti prej që ditës që ka hipur në xhip të zi, i ka harruar njerëzit e thjeshtë e të varfër që ecin trotuareve.

Gjatë ditës së hënë  në spitalin e Deçanit një person ka ndërruar jetë teksa i njëjti kishte kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të helmimit që dyshohet se ka ndodhur nga uji i pijes.

Në anën tjetër, është rritur numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e këtij qyteti nga helmimi./Insajderi.com