Gjoshi: S’kemi parë interes të Kurtit që ta bëjë Vjosa Osmanin presidente

Gjoshi: S’kemi parë interes të Kurtit që ta bëjë Vjosa Osmanin presidente

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, beson që ka tendenca të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit për të mos gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit në mënyrë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, transmeton Insajderi.

Kështu u shpreh ai duke shtuar se nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, është përgjegjësi ekskluzive e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne do ta japim kontributin vetëm nëse do të kemi një president i cili do përfaqësonte unitetin e qytetarëve dhe spektrit politik. Kurdo që të jetë në rend të ditës tema e presidentit ne do të bashkëbisedojmë si parti udhëheqëse e opozitës me partitë tjera opozitare për të shikuar mundësinë e një personi konsensual. Për këtë jemi të hapur të bisedojmë edhe me ata që i kanë fituar zgjedhjet. Nëse mund të arrijmë tek një person që mund të përfaqësojë unitetin e popullit dhe spektrit politik, ne do ta mbështesim”, thotë ai për KP.

“Fituesi i zgjedhjeve i ka fituar votat e qytetarëve për t’i ndërtuar institucionet. Nëse vendi shkon në zgjedhje, përgjegjësia e është e qartë. Deri më tani nuk kemi pa një interes të Albin Kurtin që ta bëjë Vjosa Osmanin presidente. Përndryshe do të kishte një renditje tjetër të temave. Fillimisht nëse do të ishte i interesuar punën e parë do të kishim zgjedhjen e presidentit, por ai dëshiron të akomodojë veten dhe argatët e partisë në kuadër të qeverisë së ardhshme. Mandej nëse gjen mundësi ta bëjë presidentin mirë, nëse jo atëherë ta dërgojë vendin në zgjedhje, të cilat ne si opozitë i mirëpresim, por që nuk është që jemi duke kontribuar që ato të mbahen”, deklaron Gjoshi.

Sipas tij, PDK-ja nuk ka votë, për siç i quajti, përçarësit e shoqërisë kosovare.

“Nuk do të kemi votë për ata që për vjet të tëra ndikuan që të përçajnë shtëpinë dhe vet shoqërinë tonë. Në këtë rast për emrin e Vjosa Osmanit, e cila vazhdon edhe sot me gjuhën e njëjtë si të Vuqiçit ta luftojë shtetin e Kosovës. Nuk kishte asnjë vullnet në Këshillin Drejtues, por as në mesin e deputetëve që në asnjë rast, as t’i bëhet kuorumi dhe as të votojnë zonjën Osmani”, thotë ai. /Insajderi.com