Gjoshi: VV po e pengon KQZ-në të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve

Gjoshi: VV po e pengon KQZ-në të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve

Shefi i shtabit zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, thotë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe anëtarët e kësaj partie politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, po ia humbin ditët diasporës duke vonuar fillimin e votimit, njofton Insajderi.

Kështu është shprehur ai me anë të një postimi në Facebook, ku tutje tha me daljen në konferencë të dy anëtarëve të KQZ-së nga LVV, po mundohen të largojnë përgjegjësinë nga vetja dhe t’ia hedhin fajin KQZ-së pse nuk ka filluar Akoma votimi i diasporës.

“Albin Kurti dhe Vetëvendosje së bashku me anëtarët e saj në KQZ, Alim Ramën dhe Sami Kurteshin, janë duke e penguar KQZ-në për ta miratuar fletëvotimin e zgjedhjeve. Këta dy anëtarë janë duke i bërë presion KQZ-së që në broshurat e kandidatëve të paraqiten numrat e personave të paçertifikuar nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme”, thuhet në postimin e tij.

Gjoshi tutje shton se presioni i Ramës dhe Kurteshit po e pengon aprovimin e fletëvotimeve të zgjedhjeve.

“Sa më shumë që vonohet aprovimi i fletëvotimit të zgjedhjeve, ky subjekt politik po ia humb ditët diasporës shqiptare për të dërguar fletëvotimet në KQZ”, ka shkruar tutje ai. /Insajderi.com