Në Melbourne të Australisë ku ditë më parë është hapur një shkollë me mësim plotësues në gjuhën shqipe, ka qëndruar për vizitë ambasadori i Kosovës në Australi, Sabri Kiçmari, me ç’rast ka dhuruar abetaren në gjuhën shqipe.
Kiçmari ka njoftuar se Ambasada e Kosovës e ka ndihmuar këtë shkollë me literaturë të nevojshme, sepse sipas tij është e rëndësishme investimi për gjuhën shqipe në diasporë.
“Ju dorëzova Abetaren e Përbashkët Shqipëri – Kosovë dhe literaturë tjetër plotësuese. Mësimi i gjuhës shqipe është një investim shumë i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve tanë. Nxënësit do të mësojnë për kulturën dhe historinë tonë kombëtare dhe do ta ndjejnë veten krenarë për përkatësinë e tyre kombëtare”, shkruan Kiçmari në llogarinë e tij në Facebook, shkruan albinfo.ch
“Të gjithëve ju konfirmoj mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës për mësimin e gjuhës, historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare”, shkruan ambasadori Kiçmari./Insajderi.com