Gjukanoviq: Zgjedhjet, vendimtare për ruajtjen e pavarësisë së Malit të Zi

Gjukanoviq: Zgjedhjet, vendimtare për ruajtjen e pavarësisë së Malit të Zi

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha se zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit do të jenë vendimtare për ruajtjen e pavarësisë së Malit të Zi, përballë përpjekjeve nga Serbia dhe Rusia për të sjellë në pushtet aleatët nacionalistë dhe anti-perëndimorë, njoftoi partia e tij të mërkurën, njofton Insajderi.

Gjukanoviq tha se po zhvillohet një “luftë mediatike dhe politike” kundër tij dhe Partisë së tij Demokratike të Socialistëve (DPS), për ta vënë Malin e Zi “nën ombrellën e Beogradit dhe të Moskës”.

Gjukanoviq tha se DPS nuk do të lejojë që “ideologjia e errët e mesjetës” të mbizotërojë në zgjedhje.

Me këtë, ai iu referua Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, e cila ka udhëhequr një seri protestash kundër qeverisë së tij.

Një ligj për pronat fetare në Mal të Zi ka shkaktuar protesta të serbëve tash e sa muaj.

Serbët përbëjnë rreth 30 për qind të popullsisë prej 620,000 banorësh të Malit të Zi.

Sipas kundërshtarëve, ligji do të çojë në konfiskimin e pronës së Kishës Ortodokse Serbe nga shteti malazez, gjë që mohohet nga Qeveria malazeze.

Në zgjedhje, partia në pushtet e Malit të Zi, DPS, do të sfidohet nga një grup pro-serb dhe një aleancë tjetër opozitare që e akuzon Gjukanoviqin dhe qeverinë e tij për korrupsion të përhapur.

Sondazhet e opinionet tregojnë se DPS do të fitojë shumicën e votave, por jo të mjaftueshme për të qeverisur e vetme./Insajderi.com