“Me thirrje të vendeve të Kuintit që Beogradi ta ndërpresë fushatën për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, ndërsa Prishtina t’i heqë taksat, bëhet barazi artificiale në mes Serbisë e cila i mbron, dhe Kosovës e cila i shkelë normat e të drejtës ndërkombëtare”, thotë i ashtuquajturi drejtor i zyrës së qeverisë së Serbisë Marko Gjuriq.
Ai për televizionin serb TV Pink ka thënë se nuk është i befasuar me kumtesën e vendeve të Kuintit, dhe se bashkësia ndërkombëtare “për dikë është nënë e për dikë njerkë”, si dhe “sa i përket çështjes së Kosovës, një pjesë e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk janë shumë miqësorë ndaj Beogradit.
Ai pretendon se “Serbia po mbrohet në organizatat ndërkombëtare prej përpjekjeve të Prishtinës që të bëhet anëtar i tyre, dhe se këtu nuk ka shkelje të drejtës ndërkombëtare”.
“Serbia po mbrohet sepse po tentojnë të na e grabisin një pjesë të territorit, shqiptarët po tentojnë të na e grabisin Kosovën e shenjtë”, i kopjon Gjuriq, fjalët e kriminelit Millosheviq të para 20 vjetëve.
Ai shton se me këtë po tregohet se çfarë dëshirojnë vendet e Kuintit si rezultat të dialogut, e kjo është që ta detyrojnë Serbinë ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Për këtë ditëve të fundit na ka paralajmëruar presidenti ynë Vuçiq. Ky është fakti i vështirë dhe i pakëndshëm dhe kjo do të thotë se do të jemi të ballafaquar me sfida të mëdha politike në muajt e ardhshëm. Mirëpo ne nuk do të vajtojmë dhe rënkojmë, ne do të vazhdojmë të punojmë”, ka thënë Gjuriq./Insajderi.com.