Gjuriq deklarohet pas takimit me Hysenin: Bisedime të vështira dhe të pakëndshme – Vuçiq do të ketë punë të vështirë

Gjuriq deklarohet pas takimit me Hysenin: Bisedime të vështira dhe të pakëndshme  – Vuçiq do të ketë punë të vështirë

“Të vështira dhe të pakëndshme”, i ka quajtur Marko Gjuriq bisedimet e takimit të sotëm me Skënder Hysenin.

Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pohoi se kishte mospajtime të mëdha me koordinatorin shtetëror të Kosovës për dialogun, rreth temave që kishin të bëjnë kryesisht me të zhdukurit, të zhvendosurit, por edhe për bashkëpunimin potencial ekonomik.

Gjuriq gjithashtu pohoi para gazetarëve serbë, pas takimit, se kishte propozuar që sa herë ka takime të gjindet pajtim që deklaratat pas tyre të jenë të përbashkëta, në mënyrën që të mos hapen dezinformata, por që, sipas tij, Hyseni nuk është pajtuar.

Kurse për takimin e ardhshëm që është në nivelet më të larta, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, Gjuriq parasheh skenar pesimist.

“Vuçiq do të ketë një detyrë dhe një punë të vështirë. Unë e pashë që sot”, pohoi politikani serb./Insajderi.com