Gjuriq: Djegia e veturës së Simiqit, akt qyqar

I ashtuquajturi drejtor i zyrës serbe për Kosovë ka kumtuar se djegia e veturës së anëtarit të kryesisë së Listës Serbe Sllavko Simiq në Leposaviq është “një akt qyqar i atyre të cilët besojnë se në këtë mënyrë mund ta përulin vullnetin e popullit serbe në Kosovë që të luftojë për qëndrimin e tyre në Kosovë”.

Gjuriq: Djegia e veturës së Simiqit, akt qyqar

“Fakti se kjo ka ndodhur në Leposaviq, në veri të skajshme të Kosovës, duhet të jetë porosi se luftëtarët për të drejtat e popullit serb askund nuk janë të sigurt dhe se i kanë të rrezikuar pasuritë dhe jetët kudo që të jenë”, pretendohet në kumtesën e Gjuriqit.

Ai ka “porosi” për “urdhëruesit dhe kryerësit e këtij sulmi qyqar në emër të shtetit të Serbisë dhe Listës Serbe se asgjë nuk do ta lëkund popullin serb në qëllimin për të mbetur në Kosovë, dhe se nuk ka akt ekstremist në të cilin Serbia nuk do të përgjigjet me vendosmëri”.

Gjuriq nga ana tjetër, i ka bërë thirrje përfaqësuesve të Listës Serbe të reagojnë në mënyrë të përmbajtur, “siç kanë bërë deri tani në situatat e vështira dhe sfiduese”, sepse, siç ka thënë, “beteja jonë po udhëhiqet dhe po fitohet me durim dhe mençuri”.

Të përkujtojmë, policia ka kumtuar se mbrëmë në Leposaviq ka pasur një djegie të një veture të tipit “Peugeot” me ngjyrë të zezë me tabela KM./Insajderi.com.