Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, ka fyer Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, duke e quajtur “dashnore të kryeministrit Kurti”, transmeton Insajderi.com.
Kështu është shprehur ai derisa i ka reaguar asaj për mbështetjen e dhënë për aksionin policor kundër kontrabandës në veri.
Gjuriq gjuhën denigruese e ka vazhduar edhe më tej duke thënë se “von Cramon mendon që disa serbë që janë në Kosovë duhet të jenë njerëz të këqinj, teksa i dashuri i saj Kurti duhet të jetë i mirë edhe kur ai vret”, raporton B92.
“Në vend se të kundërshtojë aksionin e policisë si eurodeputete, Von Cramon kritikoi Josep Borrellin i cili tha se aksioni ishte i njëanshëm”, ka shtuar ai.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i ka reaguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, duke thënë se ai duhet të kritikojë shtetet ku nuk po implementohet sundimi i ligjit dhe se aksionet ditore të Policisë nuk i takojnë dialogut.
Borrell, pas aksionit të Policisë së Kosovës sot, që përfshiu edhe veriun e Kosovës së bashku me pjesë të tjera, kishte reaguar në Tëitter duke thënë se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen dhe se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme.
“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.
Borrell kishte shkruar se incidentet duhet të ndalen dhe të përqëndrohemi në dialog.
“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Borrell. /Insajderi.com