Ambasadori I Serbisë në Uashington, Marko Gjuriq, ka reaguar pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, për rivendosjen e masës së reciprocitetit me Serbinë, transmeton Insajderi.
Gjuriq ka vlerësuar se ky paralajmërim është përpjekje për t’iu adresuar Serbisë në gjuhën e ultimatumeve dhe shantazheve.
Sipas tij, kjo është shumë më e rrezikshme se kërcënimet.
Gjuriq për gazetën serbe “Politika” është shprehur se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe qeveria, të cilat sipas tij janë të vendosura për një dialog konstruktiv, “sigurisht nuk do të lejojnë që Kurti ose ndonjë udhëheqës tjetër shqiptar të fus gjuhën e kërcënimeve dhe shantazheve në dialog”, raporton Tanjug.
Të hënën, zëdhënësi i Qeverisë Kurti II, Përparim Kryeziu ka deklaruar për një media se reciprociteti buron nga e të qenit i pavarur. Sipas tij, për qytetarët e Kosovës “Reciprociteti është e drejtë që buron nga barazia dhe sovraniteti, pra të qenit i pavarur, në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga sjellja arbitrare apo shkelja e të drejtave dhe dinjitetit nga ana e shteteve tjera”./Insajderi.com