Ambasadori serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, e ka quajtur “politikanen më të papërgjegjshme”, eurodeputeten gjermane, Viola von Cramon, e cila ka përshëndetur aksionin e Policisë dhe Doganës së Kosovës në veri.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, deklaroi të mërkurën se Bashkimi Evropian duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Gjuriqi, i cili ka thënë se “besimi se për t’u futur në zonat me shumicë serbe me armë nën pretendimin e rremë të zbatimit të një ndalimi të çmendur mbi barnat dhe mallrat serbe katër ditë para zgjedhjeve përmes një operacioni policor është ose naiv ose keqdashës”.
“Një njeri i pafajshëm është qëlluar në shpinë dje, një zonjë e vjetër ka vdekur si rezultat i asaj që ju e përshkruani si një ‘aksion policor’. Duhet të kesh turp nga vetja”, ka shkruar ai në Twitter.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i ka reaguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, duke thënë se ai duhet të kritikojë shtetet ku nuk po implementohet sundimi i ligjit dhe se aksionet ditore të Policisë nuk i takojnë dialogut.
“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin”.
“Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar ajo në Twitter.
Ndërkohë Borrell, duke folur për aksionin në Veri të Kosovës për kontrabandën e mallrave, i ka quajtur veprimet e Policisë së Kosovës “të pakontrolluara dhe të njëanshme”, duke thënë se “mund ta rrezikojnë stabilitetin në rajon”./Insajderi.com