“Shënimi i përvjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë dhe ardhja e ish presidentit të SHBA Bill Clinton në Prishtinë, konfirmojnë se kriminelët kthehen në vendin e krimit”, ka deklaruar i ashtuquajturi drejtor i zyrës së qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq.

“Ajo që disa kanë ballo të vampirëve në Prishtinë… nëse më pyetni mua, ky është ballo i vampirëve dhe sipas meje kriminelët kthehen në vendin e krimit, edhe Wesley Clark edhe Bill Clinton”, ka thënë Gjuriq. Ai për televizionin serb Pink e ka treguar një hartë në të cilën shihen strukturat etnike në Gjilan dhe Prishtinë para dhe pas vitit 1999, duke thënë se atje praktikisht nuk ka më serbë. “Këtë sot e festojnë ata të cilët e quajnë veten se janë përfaqësuesit e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë Gjuriq, duke mos përmendur se serbët të cilët janë larguar nga Kosova ishin pikërisht ata të cilët kanë kryer krime ndaj popullatës civile shqiptare dhe u arratisën nga Kosova bashkë me familjet e tyre për t’iu shmangur drejtësisë./Insajderi.com.