Gjuriq: Nuk ka marrëveshje pa Asociacion

Gjuriq: Nuk ka marrëveshje pa Asociacion

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar sot se nuk do të ketë marrëveshje me Prishtinën derisa të përmbushin plotësisht marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, gjë për të cilën është zotuar rreth shtatë vjet e gjysmë, njofton Insajderi.

Reagimi i tij ka ardhur pasi që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Prishtina do ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin në kuadër të marrëveshjes përfundimtare me Beogradin.

“Çfarëdo kushtëzimi i asaj për të cilën është arritur marrëveshje në Bruksel ia humb kuptimin tërë procesit negociator dhe na largon prej çfarëdo marrëveshjeje të re”, ka theksuar Gjuriqi përmes një njoftimi për shtyp, raporton Tanjug, transmeton Insajderi.

Ai për më tepër ka vazhduar akuzat e rënda ndaj kryeministrit Hoti, duke thënë se ai duhet “menjëherë ta ndalë fushatën e gënjeshtrave rreth përmbajtjes së bisedimeve, pasi që gënjeshtra e përsëritur qindra herë nuk mund ta ndërrojë faktin se Kosova e vetëshpallur nuk është shtet”. /Insajderi.com