Gjuriq pas takimit me Hysenin: Kërkuam dënim për UÇK-në

Gjuriq pas takimit me Hysenin: Kërkuam dënim për UÇK-në

Marko Gjuriq, drejtor i ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pas takimit me koordinatorin e Kosovës për dialogun në Bruksel, Skënder Hysenin, ka thënë për mediat serbe se ai në takim ka kërkuar “dënimin për krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, njofton Insajderi.

Vetë Hyseni pas takimit nuk ka përmendur të jetë biseduar diçka e tillë brenda, por ky është deklarim i Gjuriq, siç shkruan agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Gjuriq përveç këtij pohimi tha se delegacionet e Kosovës e Serbisë do të takohen edhe nesër.

Ai ka shtuar se ka kërkuar përgjegjësi edhe për vrasje të tjera që Serbia pretendon se kanë ndodhur nga shqiptarët menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë.

Këto komente të Gjuriq vijnë pas deklarimeve të Avdullah Hotit kur e përfundoi takimin e parë me Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Hoti kishte kërkuar të kthehen të pagjeturit shqiptarë të Kosovës të cilët janë vrarë gjatë luftës e më pas janë dërguar nëpër varre masive në Serbi.

Hoti gjithashtu në takim tha se kishte kërkuar dëmshpërblim për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë (bëhet fjalë për 20 mijë gra shqiptare) dhe gjithashtu për dëmet të tjera të shkaktuar nga Serbia gjatë luftës.