Tetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, ambasadori i Serbisë në Uashington, që deri vonë ishte drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, thekson se ky dokument mundësoi vite paqeje dhe stabiliteti, transmeton Insajderi.
Sipas tij, gjatë këtyre viteve “Serbia ndërtoi një markë të një shteti që përfaqëson fuqimisht interesat e popullit serb në Kosovë dhe i cili është i përkushtuar për të arritur një zgjidhje të drejtë kompromisi që nuk do të thotë shkelje e interesave të saj shtetërore dhe kombëtare”.
Gjuriq thotë se marrëveshja është “një mur për mbrojtjen e paqes dhe interesave serbe në Kosovë” dhe sipas tij “argumenti kryesor i palës serbe në përpjekjet e saj për të siguruar një stabilitet të qëndrueshëm dhe paqe të qëndrueshme”, raporton Tanjug.
“Së pari, të refuzosh kërkesat e pafavorshme të paraqitura palës serbe, sipas të cilave Serbia duhet të kishte pranuar anëtarësimin e Kosovës në KB dhe organizata të tjera ndërkombëtare pa ndonjë kundërshërbim për popullin serb në Kosovë, nuk ishte aspak e lehtë për delegacioni shtetëror i udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Gjuriq.
Ai kujton se në atë kohë, “Serbia ishte e pakrahasueshme ekonomikisht, ushtarakisht dhe politikisht më e dobët dhe në një pozitë më të keqe se sot”.
Gjuriq thotë se këto tetë vjet paqe dhe stabilitet, i dhanë një mundësi Serbisë “të rimëkëmbet nga katastrofa gjeopolitike që përjetuam me shpërbërjen e vendit”. /Insajderi.com