Gjuriq provokon Kosovën dhe flet për luftë

Gjuriq provokon Kosovën dhe flet për luftë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se autoritetet e Qeverisë së Kosovës nuk duan paqe, dhe se ata po përgatiten për luftë.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin social Twitter, Gjuriq ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha sot se nuk do të ketë ndarje të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj u shpreh sot se nuk do të lejojë formimin e Asociacionit në mënyrë të njëanshme nga Lista Serbe.

Sipas Gjuriqit, këto deklarata të Haradinajt tregojnë se kosovarët po përgatiten për luftë.

“Nga deklaratat e Ramush Haradinajt, është e qartë për të gjithë se në Prishtinë ka njerëz që nuk e duan paqen, por po përgatiten për luftë”, u shpreh Gjuriq.

Po ashtu, Gjuriq provokoi shtetin e Kosovës, duke thënë se nuk mund të ketë ndarje të territoreve pasi “Kosova dhe Metohija është pjesë e Republikës së Serbisë”.

“Ka të drejtë Ramush Haradinajn kur thotë që nuk mund të ketë ndarje dhe shkëmbime të territoreve të Kosovës dhe Metohisë, sepse i gjithë territori i Kosovës është pjesë e Republikës së Serbisë”, deklaroi Gjuriq. /Insajderi.com