Gjuriq: Rihapja e lidhjes ajrore në mes të Beogradit dhe Prishtinë është e mundur

I ashtuquajturi drejtor i zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq ka deklaruar se pret që në Berlin të nënshkruhet letra për këtë qëllim në mes të Ministrisë së Ekonomisë së Serbisë dhe kompanisë Lufthansa, e që do të mundëson që pas 20 vjetëve përsëri të vendoset lidhja ajrore në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

Gjuriq: Rihapja e lidhjes ajrore në mes të Beogradit dhe Prishtinë është e mundur

Siç ka marrë vesh RTS, kjo lidhje mund të ringjallet “pas heqjes së taksave në prodhimet e Serbisë” dhe pasi të vazhdojë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nënshkrimi i letrës, ka theksuar Gjuriq, do të paraqiste një hap të parë simbolik për rihapjen e lidhjes ajrore në mes Beogradit dhe Prishtinës pas 20 vjetëve.

“Me këtë, përveç 12 autobusëve të cilët rregullisht qarkullojnë në mes Beogradit dhe Prishtinës, në të ardhmen do të kemi edhe lidhjen ajrore”, ka thënë Gjuriq.

Sipas tij, zyrtarët nga Beogradi për këtë qëllim do ta njoftojnë UNIMK-un dhe KFOR-in, siç ka pretenduar, “sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të kombeve të Bashkuara dhe sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës, të ngarkuar për kontroll dhe koordinim në emër të Serbisë në hapësirën ajrore të Serbisë mbi Kosovë”./Insajderi.com.