Gjuriq: Serbia pesë herë më e fortë se Kosova në arenën ndërkombëtare

Gjuriq: Serbia pesë herë më e fortë se Kosova në arenën ndërkombëtare

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë për televizionin publik serb se “Beogradi ka aftësi, burime dhe ndikim diplomatik të jetë pesë herë më i suksesshëm në aksionin e çnjohjeve sesa Prishtina në atë të njohjeve të pavarësisë së Kosovës”, njofton Insajderi.

Sipas Gjuriq, prejse ekipi i presidentit aktual serb, Aleksandër Vuçiq, është angazhuar për fushatën e çnjohjeve për Kosovën, kanë arritur të bindin 18 vende t’i tërheqin njohjet për Kosovën, gjithashtu kanë bindur të tjerët që të mos e njohin fare si dhe kanë parandaluar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Interpol e organizata të tjera ndërkombëtare.

Gjuriq ka folur edhe për ardhjen e armëve nga Shtetet e Bashkuara në Kosovë.

Ka thënë se “disa vende të NATO-s po konkurrojnë se kush po dorëzon armë më të mira dhe më shumë në Prishtinë, por unë u them atyre se është më mirë të dërgoni libra për shqiptarët në Kosovë dhe jo armë”.

“Zotërinj, nëse doni të ndihmoni shqiptarët në Kosovë, dërgojuni atyre libra dhe mos u dërgoni tanke, sepse ata nuk do të hyjnë në Kombet e Bashkuara, UNESCO ose Interpol me tanke”./Insajderi.com