Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Qeveria e Kosovës i ka bërë reklamën e parë të madhe filmit dokumentar serb rreth trashëgimisë kulturore në Kosovë, ku kosovarët krahasohen me ISIS-in.
Qeveria e Serbisë ka ndërmarrë një fushatë të egër kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke përfshirë edhe veprimin e fundit, shfaqjen e një dokumentari për trashëgiminë kulturore të Kosovës, ku kosovarët krahasohen me pjesëtarët e ISIS-it.
E në një reagim të publikuar sot, Zyra e Kryeministrit të Kosovës e ka quajtur “racist dhe të paprecedent” shfaqjen e këtij filmi.
Por, për Marko Gjuriqin, drejtorin e Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, reagimi i Qeverisë së Kosovës vetëm sa i jep më shumë jehonë filmit dokumentar serb, përcjell Insajderi.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim projekte që pasqyrojnë të vërtetën në lidhje me trashëgimin tonë në Kosovë dhe Metohi”, tha Marko Gjuriq për agjencinë e lajmeve Tanjug dhe përgëzoi ekipin që realizoi filmin.
Përveç se e ka vlerësuar si të paprecedent shfaqjen e këtij filmi dokumentar, Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asgjë në lidhje me këtë por është mjaftuar me vetëm një komunikatë për media. /Insajderi.com