Gjykata arsyeton hudhjen e aktakuzës për korrupsion ndaj ministrit Liburn Aliu

Gjykata arsyeton hudhjen e aktakuzës për korrupsion ndaj ministrit Liburn Aliu

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se hudhja e aktakuzës ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve është e bazuar sepse Prokuroria nuk ka ofruar fakte se të pandehurit kanë kryer veprat penale të korrupsionit, përcjellë Insajderi.com.

Kjo gjykatë ka vlerësuar se Aliu dhe të akuzuarit tjerë vepruan sipas ligjit dhe kompetencave të tyre kur refuzuan disa kërkesa për lejimin e kushteve ndërtimore.

Më 23 gusht, për të dytën herë, Gjykata e ka hedhur poshtë aktakuzën për korrupsion ndaj ministrit aktual të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të akuzuarve të tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se nga dëshmitë dhe provat që prokuroria i ka bashkëngjitur shkresave të lëndës, nuk rezulton dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë.

Po ashtu, në vendim thuhet se të akuzuarit duke e vlerësuar se kërkesa e paraqitur nga të dëmtuarit kishte qenë në kundërshtim me Planin Rregullues Urban, e kishin refuzuar të njëjtën duke i dhënë mundësinë të dëmtuarve që vendimin ta atakojnë në procedurën administrative.

“Të akuzuarit kanë vendosur në kuadër të autorizimeve të tyre, autorizime këto të përcaktuara me ligj dhe që lidhen dhe burojnë nga pozitat zyrtare që kanë ushtruar, e që në këtë kuadër përfshihen edhe vendosja lidhur me kërkesat e paraqitura për dhënien e kushteve të ndërtimit personave/palëve që kërkojnë të pajisen me të njëjtat, siç ka ndodhur edhe në rastin konkret kur tani të dëmtuarit kanë kërkuar të pajisen me kushtet ndërtimore për ndërtim individual”, thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës.

Në qershor të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte aprovuar kërkesat për hudhje të aktakuzës për korrupsion ndaj ministrit Aliu dhe pesë të akuzuarve të tjerë, por një vendim i tillë ishte anuluar nga Gjykata e Apelit dhe rasti ishte kthyer në rivendosje./Insajderi.com