Gjykata bllokon konkursin e Policisë së Kosovës

Gjykata bllokon konkursin e Policisë së Kosovës

Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që të aprovojë njërën nga dy kërkesat të cilat kishte pranuar nga ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe nga ish-kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradie Kelmendi, transmeton Insajderi.

Qalaj dhe Kelmendi kishin kërkuar nga Gjykata e Prishtinës që të ndalohen dy proceset e rekrutimit për drejtor të ri të PK-së dhe kryeshef të IPK-së.

Avokati i cili ka përfaqësuar në Gjykatë, Qalajn dhe Kelmendin, Adem Vokshi ka thënë për Kallxo.com se paditë kanë qenë me përmbajtje thuajse të njëjtë por vetëm njëra është aprovuar, ajo e Qalajt.

“Po, jam avokat i të dy palëve (Miradie Kelmendit dhe Rashit Qalajt). Gjyqtarja ka qenë e njëjtë. Njëra është aprovuar e tjetra jo. Nuk është aprovuar padia por është aprovuar kërkesa për masë të sigurisë në rastin e Qalajt. Unë konsideroj që të dy kanë pasur të drejtë porse si ka ndodhur që njëra të aprovohet e njëra të refuzohet atëherë e pyetni gjykatën që ka vendosur kështu sepse ajo e jep fjalën e fundit”, ka thënë në një bisedë telefonike avokati Vokshi.

Konkursi i Policisë së Kosovës për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës është hapur më 19 nëntor ndërsa ai i IPK-së për kryeshef më 27 tetor.

Duke u bazuar në masën e sigurisë të cilën e ka ndërmarrë Gjykata e Prishtinës në rastin e padisë së Qalajt, konkursi i Policisë së Kosovës vazhdon të mbetet i pezulluar deri në vendimin e gjykatës së shkallës së dytë ndërsa pas refuzimit të padisë së ish –kryeshefes së IPK-së, Miradie Kelmendit, konkursi i IPK-së do të vazhdojë. /Insajderi.com