Gjykata e Apelit anulon dënimin me burgim të përjetshëm për burrin i cili vrau gruan e tij

Gjykata e Apelit anulon dënimin me burgim të përjetshëm për burrin i cili vrau gruan e tij

Gjykata e Apelit ka anuluar dënimin me burgim të përjetshëm për Nuhi Mavroqanin, i cili vrau gruan e tij me shufër metalike një vit më parë në Kamenicë të Gjilanit, njofton Insajderi.

Kjo gjykatë përmes një njoftimi ka bërë të ditur  se rasti është kthyer rigjykim.

“Gjykata e Apelit, me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të akuzuarit N.M. por edhe sipas detyrës zyrtare, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 4 dhjetor 2020. Rasti i është kthyer të njëjtës gjykatë në rivendosje”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas Apelit, aktgjykimi për Mavroqanin, është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase nuk është përpiluar në pajtim më dispozitat ligjore.

“Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë, është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase nuk është përpiluar në pajtim më dispozitat ligjore. Në fakt nuk janë dhënë arsyet në të cilat është bazuar, më rastin e zgjedhjes se çështjes juridike, veçanërisht më rastin e vërtetimit të përgjegjësisë penale të akuzuarit, si dhe me rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal, ndaj të akuzuarit dhe veprës se tij”, thuhet tutje në njoftim.

Në bazë të aktakuzës, deri te vrasja kishte ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në mes të qiftit.

Mavroqani kishte goditur bashkëshorten e tij disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, me një mjet të papërshtatshëm të gjatë 73 centimetra, duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë dhe po ashtu ia ka thyer kafkën, me që raste viktima nuk ka mundur t’i përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë. /Insajderi.com