Gjykata e Apelit konfirmoi dënimet ndaj Lushtakut, Gashit dhe Shalës, dënimet e tyre mbeten simbolike

Gjykata e Apelit konfirmoi dënimet ndaj Lushtakut, Gashit dhe Shalës, dënimet e tyre mbeten simbolike

Festa e zhurmshme me armë nga oda këmbëkryq është rikthyer dje në Gjykatën e Apelit. Kjo gjykatë ka marrë vendim që t’i dënojë krerët e lartë të shtetit për gjuajte me armë. Dënimet e tyre mbesin simbolike për dëmin që mund të shkaktohej.

Krerët e shtetit ishin mbledhur këmbëkryq në një odë në Malishevë me muzikë dhe pije po festonin pafajësinë e Fatmir Limajt.

Për t’i bërë festën edhe më të zhurmshme ishin përkujdesur: Sami Lushtaku, Endrit Shala dhe Dardan Gashi. Ata pa u lëkundur fare nga vendi gjuanin me armë zjarri në ajër.

Krejt  kjo festë po bëhej për vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës ndaj Limajt, por Gjykata e Apelit nuk mori sot vendim në favor të personave që po festonin në Malishevë.

Gjykata dje ua ka konfirmuar dënimin zv/kryeministrit të Kosovës Dardan Gashit, Ministrit të Tregtisë, Endrit Shalës dhe ish-kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku

Dardan Gashit iu konfirmua dënimi me 1 mijë e 700 euro, ashtu sikurse edhe Sami Lushtakut, por Endrit Shala do të duhet të paguajë gjobën prej 2 mijë e 400 eurove.

Përveç tyre ishin dënuar edhe Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Krasniqi.

Armët që i kishin përdorur në vitin 2017 Gashi, Lushtaku dhe Shala nuk do të mund t’i përdorin, ato janë marrë nga Policia e Kosovës.