Gjykata e Apelit konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj ish-ministres Hoxha

Gjykata e Apelit konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj ish-ministres Hoxha

Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj ish-ministres për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-sekretarit të kësaj Ministrie, Kushtrim Cukaj dhe tre personave, Fitim Mustafa, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Gjykata përmes një komunikate për media, ku është njoftuar se ka refuzuar ankesat e parashtruara nga mbrojtësit.

Sipas vendimit të Apelit thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë në vendimin e saj ka vlerësuar në mënyrë të drejtë kërkesat e paraqitura nga mbrojtësit dhe ka dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngriotur ekziston dyshimi i bazuar mirë dhe se ata kanë kryer veprën penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë tetorin e këtij viti, i kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të ushtruar nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Apeli ka gjetur si të pabazuara pretendimet ankimore të mbrojtësve të pandehurve sa i përket elementit të dashjes, motivit apo dijenisë, sepse në këtë fazë ekzistimi i provave gjatë hetimit ka krijuar dyshimin edhe për aspektet subjective të veprave penale.

“Po ashtu në aktin akuzues përshkruhen qartë natyra e pozitës, funksionit e detyrave të kryera nga ana e të pandehurve nga të cilat derivojnë edhe aspektet e rëndësishme për të provuarit e tipareve jo objektive të veprave penale që janë objekt i aktakuzës”, thuhet në vendim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj, Fitim Mustafa, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison Strategies LLC”.

Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “Majorelle PR & Events”  me të cilin duhej lidhur kontrata.

Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç’rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Më pas, në aktakuzë thuhet se më 21 shkurt 2019, Hoxha kishte kërkuar nga UD i Sekretarit të Përgjithshëm të MIE-së, Kushtrim Cukaj vazhdimin e kontratës së lartcekur në bazë të procedurës së njëjtë, me këtë rast iaa ka mundësuar “Majorelle PR & Events” që të vazhdojë kontratën në vlerë prej 168 mijë euro dhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë./Insajderi.com