Gjykata Themelore në Pejë e ka konfirmuar aktakuzën e ngritur për sulm seksual, ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Numan Baliq, transmeton Insajderi.
Këtë e ka konfirmuar zyrtarja për informim e kësaj gjykate, Tringa Zhuti.
Vendimin për refuzimin e kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave e ka marrë gjykatësi i rastit, Shaqë Curri.
Lidhur me këtë vendim, bëhet e ditur se mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Aurora Mulhaxha ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.
Ndryshe, Baliq është deklaruar i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 tetor të këtij viti.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Numan Baliq akuzohet se me 12 gusht 2020, rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor, duke keqpërdor gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, e cyt të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, përderisa e njëjta, në natën kritike, duke qenë nënë dhe shoqëruese e fëmijës 6 muajsh, ishte e hospitalizuar në dhomën numër 5, në repartin e ortopedisë në spitalin e lartcekur.
Në bazë të këtij dispozitivi, përderisa foshnja e viktimës ishte duke u trajtuar për shkak të dëmtimeve në ekstremitete, aty vjen i pandehuri i cili në cilësi të mjekut /kirurg kujdestar, edhe pse nuk punon në atë repart, shkon kinse për ta vizituar foshnjën e viktimës dhe më pas del dhe e fton të dëmtuarën që të shkojë në zyrën e kujdestarisë së tij, për tu konsultuar dhe kinse për udhëzuar dhe për t’ia siguruar aparaturën e nevojshme, ku e dëmtuara duke mos e njohur por duke e pa të veshur me uniformë mjekësore, shkon pas tij dhe sapo afrohet tek dera e zyrës së kujdestarisë, i pandehuri e kap për dore të djathtë dhe e fut brenda viktimën, e mbyll derën me çelës dhe e ndal rrymën si dhe e mbështet të dëmtuarën tek muri ku më pas i kërkon asaj ta prek dhe tenton ta puthë në qafë duke i thënë “a ki nevojë për diçka”, por viktima largohet, ndërsa i pandehuri e kap përsëri dhe e shtrëngon në dorë, pastaj e dëmtuara arrin ta shtyjë nga vetja, ta hap derën dhe të largohet, me ç’ rast kthehet në dhomën numër 5 dhe nga dritarja kërkon ndihmë tek roja e sigurimit, ku më pas e raporton rastin në Polici.
Andaj për këto veprime, Numan Baliq akuzohet për veprën penale “sulmi seksual”, nga neni 229, paragrafi 3, nën paragrafi 3.10, pika 3.10.3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /Insajderi.com