Gjykata e shpalli fajtor për konflikt interesi – Reagon Zenun Elezaj

Gjykata e shpalli fajtor për konflikt interesi – Reagon Zenun Elezaj

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka reaguar pasi Gjykata Themelore e shpalli fajtor për veprën penale konflikt interesi, njofton Insajderi.

Elezaj, i cili për këtë vepër të martën u dënua me katër mijë euro gjobë, u shpreh i bindur se Gjykata e Apelit do ta rrëzojë këtë vendim.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se nuk e ka kryer veprën për të cilën është dënuar, por i është shmangur konfliktit të interesit

“Sot, përmes mbrojtësit kam kuptuar se Gjykata Themelore në Pejë, si Gjykatë e shkallës së parë, më ka shpallur fajtor për veprën penale të konfliktit të interesit. Duke qenë se vendimin gjykata e ka shpallur sot, jam i bindur se ankesa drejtuar Gjykatës së Apelit të Kosovës si Gjykatë e shkallës së dytë do rrëzojë këtë vendim të Gjykatës Themelore në Pejë. Kjo meqë unë jo që nuk kam kryer veprën penale në fjalë, por i jam shmangur konfliktit të interesit”, ka shkruar i pari i Klinës.

Ai shton se ka zbatuar ligjin në përpikëri, ndërsa thotë se Prokuroria nuk ka ofruar prova për të mbështetur aktakuzën e saj.

“E për habinë time, Gjykata e shkallës së parë ka gjetur bazë të më shpallë fajtor pa asnjë provë të drejtpërdrejt. Sa do që ky vendim nuk është i drejtë për mua, shpresoj se ai nuk është nxitur nga interesat politike të kujtdo. Pasi do të pranojmë vendimin me shkrim, sigurisht se ekipi i mbrojtjes do të deklarohet për opinionin tonë përshtatshmërisht”, ka shkruar tutje Elezaj.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, është dënuar me katër mijë euro gjobë për rastin ku ai akuzohej nga Prokuroria Themelore në Pejë për konflikt interesi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë. /Insajderi.com

Për të gjitha palët e interesuara,

Sot, përmes mbrojtësit kam kuptuar se Gjykata Themelore në Pejë, si Gjykatë…

Posted by Prof. Dr. Zenun Elezaj on Tuesday, December 29, 2020