Gjykata Themelore në Pejë ia ka refuzuar kërkesën për përjashtim të trupit gjykues Isuf Tetajt, babait të Agonis Tetajt, i cili u vra në shtatorin e vitit 2018, në kompaninë “Gogaj Ag”, përcjell Insajderi.
Tetaj kishte kërkuar përjashtimin e trupit gjykues në trajtimin e rastit ku djali i tij mbeti i vrarë në vendin e punës nga i akuzuari Shaban Gogaj.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Tringa Zhuti.
“Është refuzuar kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues”, ka thënë Zhuti për “Betimi për Drejtësi”.
Gogaj po akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ashtu sikurse edhe i pandehuri Isuf Cacaj. I akuzuari Gogaj, në seancën e 16 marsit, e ka pranuar fajësinë për veprën në fjalë.
Ndryshe, babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, të mërkurën ka publikuar aktakuzën dhe videon e momentit të vrasjes së të birit, Agonisit.
Ai ka kërkuar nga Kryeprokurori i Shtetit dhe ambasadorët e huaj në Kosovë, të vendosin drejtësi në rastin e vrasjes së djalit të tij.
Krejt kjo ka ndodhur si pasojë e rikualifikimit të veprës penale nga prokurori i rastit, Agron Ukaj, nga “Vdekje e rëndë” në “Vdekje nga pakujdesia”./Insajderi.com