Gjykata i jep tri ditë afat Adem Grabovcit që ta plotësojë padinë kundër Insajderit

Gjykata Themelore e Prishtinës është marrë edhe njëherë me padinë e Adem Grabovcit kundër gazetës online Insajderi. E ka urdhëruar që brenda tri ditësh ta plotësojë padinë, ndryshe do të konsiderohet se ka hequr dorë nga padia.

Gjykata i jep tri ditë afat Adem Grabovcit që ta plotësojë padinë kundër Insajderit

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka dhënë tri ditë afat, Adem Grabovcit që ta plotësojë padinë dhe propozimin për masë të sigurisë kundër Insajderit.

Vendimin e ka marrë gjyqtarja Mevlide Kosumi Qarri bazuar në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, e cila disa ditë më parë ka vendosur që lëndën ta kthej në rigjykim dhe urdhëroi Gjykatën Themelore të Prishtinës të kërkojë prova nga Grabovci lidhur me pretendimet se i është shkelur privatësia dhe të drejtat kushtetuese me rastin e publikimit të përgjimeve nga Insajderi.

Aktvendimi i gjyqtares është marrë më 13 tetor të këtij viti, derisa Insajderit i është dorëzuar të hënën më 17 tetor.

“Paditësit Adem Grabovci nga Prishtina i kthehet në plotësim padia dhe propozimi  për caktimin e masës së sigurimit i parashtruar me datën 03.08.2016 , që në afat prej 3 ditësh nga dita e marrjes së këtij aktvendimi, ta plotësojë padinë sipas vërejtjeve të Gjykatës së Apelit me Aktvendimin Ac.nr.3155/16 të datës 16.09.2016”, thuhet në aktvendim.

“Do të konsiderohet se është tërhequr padia por që se nuk i kthehet gjykatës brenda afatit ligjor, e në qoftë se kthehet pa u korrigjuar, gjegjësisht pa u plotësuar, do të hedhet poshtë padia”, shkruan më tej.

Në arsyetimin e aktvendimit thuhet se paditësi Adem Grabovci përmes avokatëve të tij, Florent Latifaj dhe Valon Hasani me 3 gusht 2016 ka parashtruar padi për kompensim të dëmit jo material kundër të paditurve “Insider” sh.p.k, Vehbi Kajtazi dhe Parim Ollurit, ndër të tjera me propozim për përcaktimin e masës së sigurimit.

Me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës Ac.nr3155/16 të datës 16 gusht 2016 është aprovuar e themeltë ankesa e të autorizuarit të paditësit dhe është anuluar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë C.nr.1730/16 i datës 12.08.2016.

“Duke vepruar sipas vërejtjeve të dhëna në këtë aktvendim e  duke u bazuar në dispozitat ligjore, nga neni 99.2 dhe 102 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, u vendos që padia e paditësit si dhe propozimi për caktimin e masës së sigurimit ti kthehet në plotësim dhe përmirësim”, sqaron shkalla e parë.

Gjykata e Apelit kishte marrë rolin e avokatit të Adem Grabovcit. I kishte dhënë udhëzime të qarta avokatit të Grabovcit, se çfarë veprimesh dhe provash duhet të prezantojë kundër Insajderit në rastin e publikimit të përgjimeve.

vendimi ishte marrë ditë më parë nga një kolegj gjyqtarësh të Gjykatës së Apelit i përbërë nga Fejzullah Rexhepi – kryetar dhe Ramë Hyseni e Qerim Ademaj – anëtarë, e ka prishur aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Pos kësaj, Apeli i kishte dhënë udhëzime shkallës së parë që të kërkojë prova shtesë nga mbrojtja e Adem Grabovcit, lidhur me pretendimet se me publikimin e përgjimeve telefonike, paditësit i është shkelur privatësia dhe të drejtat kushtetuese.

Aktvendimi është marrë më 16 shtator.

Shkalla e parë, kishte vendosur në muajin gusht të këtij vitit që ta hidhte poshtë kërkesën e Grabovcit për shkak se nuk kishte ofruar prova bindëse së i është shkelur privatësia dhe të drejtat kushtetuese. Gjykata, nuk kishte konstatuar asnjë shkelje nga Gazeta Online Insajderi, e cila për një muaj rresht publikoi mbi 200 telefonata të Grabovcit me persona tjerë, përfshirë presidentin, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin, Kadri Veseli.

Përgjimet e publikuara ishin nxjerr nga Prokuroria gjatë hetimeve kundër Grabovcit për korrupsion. Pas publikimit të tyre, Prokuroria nisi hetime kundër Grabovcit për dy vepra penale. Ndërkohë, të martën i zgjeroi ato edhe kundër shefit të ri të Grupit Parlamentar të PDK-së – Zenun Pajaziti, ish-ministrit të Ekonomisë – Besim Beqaj, ish-sekretarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme – Ilhami Gashi, kryetarit të Degës së PDK-së në Prizren – Njazi Kryeziu, ish-zëvendësministrit të Punës– Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarit të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi – Sedat Gashi dhe ish-shefes së Divizionit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Përveç se kjo Gjykatë që ishte drejtuar një kohë të Gjatë nga Salih Mekaj, i cili ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës me një telefonatë në mes të Xhevat Grabovcit dhe Adem Grabovcit, dhe më pas ishte emëruar kryetar i Gjykatës, ishte treguar e njëanshme duke shkelur barazinë e palëve në procedurë, bën edhe gabime të rënda gjuhësore e logjike.

Apeli kishte anashkaluar edhe një fakt tjetër. Nuk e përmendte fare që Gjykata Themelore e Prishtinës kishte mbajtur seancë kur kishte vendosur rreth padisë së Grabovcit, në të cilën pala paditëse ka mundur të dorëzojë prova shtesë. Por, nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Apeli e kishte arsyetuar aktvendimin e saj duke aplikuar nenin 304, paragrafi 3 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, si dhe nenin 7, paragrafi 1 të këtij ligji. Këto nene aplikohen dhe Gjykata udhëzon paditësin ta plotësojë padinë vetëm më të dhëna të munguara siç është adresa emri i të paditurit, adresa dhe të dhëna tjera identifikuese, por asnjëherë nuk udhëzohet paditësi që të sjell prova lidhur me pretendimet. Gjykata vendos bazuar në provat e ofruara nga paditësi. /Insajderi.com

padia_grabovci_insajderi

Gjykata e Apelit në rolin e avokatit të Grabovcit kundër Insajderit