Gjykata kërkon paraburgimin e deputetëve Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi

Gjykata kërkon paraburgimin e deputetëve Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi

Kryetari i trupit gjykues në rastin kundër katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli, e ka shtyrë seancën e shqyrtimit për afat të pacaktuar.

I vetmi që ishte paraqitur në seancë ishte i akuzuari Faton Topalli.

Kjo për shkakun e mungesës së tre të parëve. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim të tyre, por policia nuk ka arritur t’i gjejë në adresat e tyre të banimit.

“Për të akuzuarin Albin Kurti dhe Dokika Kadaj-Bujupi, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim nga policia e Kosovës, përkatësisht nga stacioni Qendra dhe Jugu në Prishtinë. Dhe sipas informatave nga këto stacione policore, të njëjtët nuk janë gjendur në adresat e vendbanimeve të dhëna sipas shkresave të lëndës”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Ai ka thënë se gjykata do të lëshojë urdhëresë për arrestimin e Kurtit, Haxhiut dhe Kadaj-Bujupit dhe dërgimin e tyre në qendrën e paraburgimit.

“Dhe, meqenëse të njëjtët nuk i janë përgjigjur ftesave, trupi gjykues merr aktvendim kundër të akuzuarve Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi, gjykata do të lëshojë urdhëresë për ndalim-arrestim dhe dërgim në qendrën e paraburgimit dhe të njëjtëve do t’u caktohet paraburgimi”, ka shtuar më tej ai.

Gjithashtu, kryetari i trupit gjykues tha se, për shkak se nuk ekzistojnë kushtet për mbajtjen e seancës së sotme, e njëjta shtyhet për afat të pacaktuar derisa të krijohen kushtet e nevojshme për mbajtjen e saj.

“Meqenëse nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës së sotme në mungesë të palëve të cilat janë të domosdoshme për në procedurë, gjykimi i sotëm nuk mund të vazhdojë”, ka thënë tutje ai./Insajderi.com