Gjykata konfirmon aktakuzën ndaj të akuzuarve për vjedhjen e mbi dy milionë eurove nga thesari i shtetit

Gjykata konfirmon aktakuzën ndaj të akuzuarve për vjedhjen e mbi dy milionë eurove nga thesari i shtetit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, të cilët akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të vendit rreth 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi, e cila ka bërë të ditur se nga mbrojtësit e të pandehurve janë ushtruar kundërshtimi i provave si dhe kërkesa për hudhje të aktakuzës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special përmes aktvendimit të saj, ka refuzuar kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, ku palët lidhur me këtë vendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gashit për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, ata ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit  të parë të mbajtur më 26 tetor 2021 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.

Në aktakuzë thuhet se Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.

Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se Labinot Gruda veprat penale që i vihen në barrë i kreu në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve-Thesari i Shtetit. Ndërsa, Kadri Shala ishte i autorizuar ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK”.

Sipas PSRK-së, si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve Labinot Grusha dhe Kadri Shala buxhetit të Republikës së Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.

“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave, të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.”, thuhej në komunikatën e PSRK-së./Insajderi.com