Gjykata merr vendim për dy persona që vodhën 8000 euro dhe plagosën punëtorin e një bastoreje në Pejë

Gjykata merr vendim për dy persona që vodhën 8000 euro dhe plagosën punëtorin e një bastoreje në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur fajtorë dy persona XH. D dhe Xh.B. pasi të njëjtit kishin grabitur 8.000 euro nga një punonjës i bastores, e më pas e kishin plagosur atë.

Sipas njoftimit të kësaj gjykate, Xh.D. është dënuar me 7 vjet e gjashtë muaj burgim si dhe me gjobë prej 2 mijë euro, ndërsa është obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguajë shumën prej njëqind euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej njëqind euro, si dhe në emër të kompensimit për viktimat e krimit shumën prej pesëdhjetë euro, si dhe i është vazhduar paraburgimi pas shpalljes së aktgjykimit.

Ndërkaq Xh.B. është dënuar me 4 vite burgim të cilin dënim i pandehuri do ta vuajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi si dhe 500 euro gjobë, transmeton Koha.net.

Gjykata thekson se i pandehuri është obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguajë shumën prej pesëdhjetë euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej pesëdhjetë euro si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë euro.

Të pandehurit Xh.B dhe XH.D, Gjykata i ka shpallë fajtorë për shkak se me datë 29.12.2013, rreth orës 02.00 të mëngjesit, në Pejë, duke vepruar në grup dhe me armë, kanë sulmuar jetën e të dëmtuarve, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme në atë mënyrë që njëri i pandehur, pasi që paraprakisht e kishte përcjell të dëmtuarin dhe atë tri net rresht para natës kritike, duke qëndruar në këtë lokal nga momenti i hapjes e gjer në fund të orarit, kurse të tjerët kanë bërë roje jashtë lokalit dhe në momentin kur i pandehuri ka kuptuar se i dëmtuari ka një shumë të madhe të parave të fituara gjatë lojës së klientëve, i njëjti nga brendia e bastores përmes telefonit i njofton të pandehurit e tjerë dhe del së bashku me mysafiret e tjerë që kanë qenë duku luajtur në bastore.

“I njëjti pasi që del, kollitet e më pas dy të pandehurit e tjerë, pas pesë minutave pasi që largohen mysafirët, hyjnë në lokal, me maska në kokë, dorëza në duar dhe armë automatike, kërkojnë nga të dëmtuarit para. Në atë moment një i dëmtuar ka arritur që të ikë dhe të fshihet në podrum kurse i dëmtuari tjetër niset në drejtim të të pandehurit dhe në momentin kur i afrohet të pandehurit ky i fundit shtien në drejtim të të dëmtuarit duke e plagosur. Më pas të pandehurit marrin shumën e të hollave prej 8.000 € dhe ikin nga vendi i ngjarjes, me çka të pandehurit kanë kryer vepër penale të ‘grabitjes’ dhe ‘armëmbajtjes pa leje’”, thotë Gjykata.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, të dëmtuarit udhëzohen në kontest të rregullt juridiko civil.