Gjykata merr vendim për maqedonasin që u arrestua në Ferizaj

Gjykata merr vendim për maqedonasin që u arrestua në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditësh ndaj të pandehurit Zh.Zh, për shkak se dyshohet që ka kryer veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “kontrabandimi me armë”, njofton Insajderi.com.

Përmes një njoftimi Gjykata ka bërë të ditur se i pandehuri ishte duke u kërkuar në bazë të një flet-arresti ndërkombëtar me kërkesë të Interpolit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Sahit Krasniqi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë në Çështjet Penale dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej katër dhjetë (40) ditëve”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Gjykatës.

Po ashtu, bëhet e ditur se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Ndryshe, gjatë të premtes, i dyshuari, me nënshtetësi maqedonase, është arrestuar në Ferizaj nga Policia e Kosovës pasi që për të kishte një urdhërarrest ndërkombëtar./Insajderi.com