Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve H.K, P.B, Sh.K, K.K, S.K, pasi që kanë kryer veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligshëm”, përcjell Insajderi.com.
Sipas njoftimit për media, më 21 prill 2020, në orët e mbrëmjes, pesë të akuzuarit në një lokal me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishin organizuar dhe kishin marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit.
“Nga zyrtarët Policor është arritur të sigurohen provat siç janë: karta – letra (52 letra ngjyrë të kuqe; 96 letra ngjyrë të kuqe; dhe 54 pako me letra bixhozi të pahapura), me të cilat kanë luajtur të pandehurit; një pako metalike ngjyrë hiri me në të cilin gjendeshin figura të lojërave me ngjyra të ndryshme me të cilat luhet poker; një fletore me shifra të ndryshme në të cilën të akuzuarit kanë mbajtur evidencën e parave të fituara, respektivisht të humbura gjatë lojës së bixhozit, si dhe gjatë kontrollit në trupin e tyre, janë bastisur para kesh: nga i akuzuari P.B., 2,611.35 euro, i akuzuari H.K., 3,190.00 euro, i akuzuari T.K., 450,00 euro, S.K., 245,70 euro, i akuzuari K.K. 108,00 euro dhe i akuzuari Sh.K., 827,00 euro, të cilat para janë përdorur për lojën e bixhozit”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Tutje, Gjykata ka njoftuar se të akuzuarit H.K, Sh.K, K.K, dhe S.K i ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.
Bëhet e ditur se pas shpalljes së aktgjykimit, mbrojtësit e të akuzuarve kanë propozuar që dënimi i shqiptuar me burgim t’iu zëvendësohet me gjobë.
“Gjyqtari i rastit, në kuptim të neni 44 të Kodit Penal të Kosovës, ka aprovuar propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve, që për secilin të akuzuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, të i ‘u zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej pesë mijë eurosh”, thuhet tutje në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Insajderi.com