Gjykata në Prizren dënon pesë persona, kishin luajtur bixhoz

Gjykata në Prizren dënon pesë persona, kishin luajtur bixhoz

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve H.K, P.B, Sh.K, K.K, S.K, pasi që kanë kryer veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligshëm”, përcjell Insajderi.com.

Sipas njoftimit për media, më 21 prill 2020, në orët e mbrëmjes, pesë të akuzuarit në një lokal me qëllim të përfitimit  të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishin organizuar dhe kishin marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit.

“Nga zyrtarët Policor është arritur të sigurohen provat siç janë: karta – letra (52 letra ngjyrë të kuqe; 96 letra ngjyrë të kuqe; dhe 54 pako me letra bixhozi të pahapura), me të cilat kanë luajtur të pandehurit; një pako metalike ngjyrë hiri me në të cilin gjendeshin figura të lojërave me ngjyra të ndryshme me të cilat luhet poker; një fletore me shifra të ndryshme në të cilën të akuzuarit kanë mbajtur evidencën e parave të fituara, respektivisht të humbura gjatë lojës së bixhozit, si dhe gjatë kontrollit në trupin e tyre, janë bastisur para kesh: nga i akuzuari P.B., 2,611.35 euro, i akuzuari H.K., 3,190.00 euro, i akuzuari T.K., 450,00 euro, S.K., 245,70 euro, i akuzuari K.K. 108,00 euro dhe i akuzuari Sh.K., 827,00 euro, të cilat para janë përdorur për lojën e bixhozit”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Tutje, Gjykata ka njoftuar se të akuzuarit H.K, Sh.K, K.K, dhe S.K i ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

Bëhet e ditur se pas shpalljes së aktgjykimit, mbrojtësit e të akuzuarve kanë propozuar që dënimi i shqiptuar me burgim t’iu zëvendësohet me gjobë.

“Gjyqtari i rastit, në kuptim të neni 44 të Kodit Penal të Kosovës, ka aprovuar propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve, që për secilin të akuzuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, të i ‘u zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej pesë mijë eurosh”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Insajderi.com