Avokati Tomë Gashi duke folur për ftesën e parë të Gjykatës Speciale për “Zërin” ka thënë që tashmë është e qartë që viti 2019 do të jetë viti i fillimit të punës" />

“Gjykata Speciale do të sjellë ndryshime të mëdha në skenën politike”

“Gjykata Speciale do të sjellë ndryshime të mëdha në skenën politike”

Avokati Tomë Gashi duke folur për ftesën e parë të Gjykatës Speciale për “Zërin” ka thënë që tashmë është e qartë që viti 2019 do të jetë viti i fillimit të punës së kësaj gjykate.

“Ne nuk e kemi periudhën kohore se kur Gjykata do të fillojë, mirëpo po e dimë tashmë që fillimi i saj do të jetë në vitin 2019. Nuk kemi emra konkretë të të dyshuarve me të cilët do të merret Gjykata Speciale, përveçse është thënë që gjithçka ka filluar me raportin e senatorit Dick Marty”, ka thënë Gashi.

Më tutje Gashi ka thënë që me fillimin e kësaj gjykate do të ketë edhe ndryshime në skenën politike, pasi që sipas tij do të mundë të ketë edhe zyrtarë të lartë të partive politike që do të ftohen nga kjo gjykatë.

“Mund të ketë ndryshime politike nëse Gjykata Speciale fton në cilësinë e të dyshuarit edhe zyrtarë të lartë politikë të partive politike në vend, sepse atëherë ata nuk mund ta ushtrojnë funksionin e tyre prej Hagës. Kjo varet nga ajo se kush të jetë nën shënjestër të Gjykatës Speciale”, ka potencuar ai.

Gashi po ashtu ka thënë se Prokuroria Speciale asnjëherë deri më tani e as në të ardhmen nuk do ta bëjë publike nëse dikë e fton në cilësinë e dëshmitarit, sepse, siç thotë ai, dëshmitë janë konfidenciale dhe derisa nuk jepen para Zyrës së Prokurorit ato në asnjë mënyrë nuk bëhen publike.