Gjykata Speciale fton për intervistim vëllanë e aktivistit të vrarë të LDK-së

Gjykata Speciale fton për intervistim vëllanë e aktivistit të vrarë të LDK-së

Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka ftuar për intervistim, një dëshmitar i cili e kishte akuzuar Hashim Thaçin për vrasjen e të vëllait të tij, ndërsa më vonë ishte bërë aleat i tij.

Imer Imeri, vëllai i aktivistit të vrarë të LDK-së, Haki Imeri, ka marrë ftesë për intervistim më 21 janar. Ai vite më radhë e kishte akuzuar presidentin Hashim Thaçi dhe Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), për vrasjen e të vëllait.

Por, dy vjet më heret ai kishte ndryshuar deklaratat. Nuk po e akuzonte më Thaçin. Madje, ishte bërë aleat me të duke pranuar që Thaçi ta shpallte “Hero të Kosovës”.

Insajderi, ka siguruar thirrjen drejtuar Imerit, i cili duhet të paraqitet në Hagë për t’u marrë në pyetje.

“Fletëthirrja ju kërkon që të paraqiteni personalisht për t`u marrë në pyetje në Hagë, Holandë. Në datën dhe kohën e caktuar. Moszbatimi i këtij urdhëri mund të nddëshkohet me gjobitje dhe burgim“, thuhet në ftesën e Speciales.

Insajderi ka kontaktuar me Imerin i cili ka delaruar se i është kumtuar lajmi se do të ftohet nga special por thotë se nuk ka datë të caktuar kur do të paraqitet në Hagë.

Ai madje thotë se nuk dëshiron të bëjë publike informata lidhur me këtë çështje, por se është i gatshëm t`i përgjigjet gjykatës.

“Jo hala datën nuk më kanë tregu veç kanë thanë që është e mundshme që më ftojnë. Ftesë nuk kam marrë hala po këto janë punë të mijat. Këto janë punë të mijat, çështje hetuesie, nuk kam nevojë me ju tregu se boll jam merr me gazeta me media, kurgja kush s`më ka ndihmu kurr”.

“Unë nuk bëjë publike kurgja, kur t`m vjen ftesa shkoj, sigurisht që do përgjigjem do t`i mbajë fjalët e mija çka kam folë, kurgja tek unë nuk dështon”, tha ai.

Për vite të tëra Thaçi dhe Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) është bërë përgjegjës nga vëllai i Haki Imerit, Imeri se ka gisht në vrasjen e këtij aktivisti. Por Imeri para dy vitesh ishte tërhequr nga akuzat që i ka bërë Thaçit dhe është bindur se nuk ka gisht në këtë vrasje.

Në një bisedë për Insajderin, Imer Imeri pati thënë se presidenti i vendit “i është larë” duke i bërë be me 124 pleq se nuk ka lidhje me këtë vrasje.

I pyetur prap nga Insajderi, lidhur me çështjen e vrasjes së vellaut të tij, Imeri tha se nuk i ka ndrruar deklaratat.

Para dy vitesh Hashim Thaçi, e shpalli dëshmor të kombit aktivistin e vrarë të LDK-së, Haki Imerin për vrasjen e të cilit presidenti është cilësuar përgjegjës nga vëllai i tij. Përveç që e kishte shpallur dëshmorë Thaçi kishte mbajtur edhe akademi përkujtimore në nderim të Haki Imerit. Kishte marrë përsipër gjithë organizimin së bashku me Komunën e Skenderajt.

Imeri pati filluar ta akuzojë edhe LDK-në që nuk ka bërë asgjë për zbardhjen e vrasjes së vëllait të tij, por vetëm ka përfituar vota duke u thirrur në emrin e tij.

Sipas tij, vrasja e Haki Imerit është vrasja e parë në Drenicë e motivuar politikisht.

“LDK ka mujt ni përvjetor, ni tufë lule te varri me ja pru. Kurrë niherë se bani. LDK ka mujt me ja parmen emrin në gazetë. Kurrë nuk e bëri. Me vdekjen e Rugovës, LDK shkoi me to. Unë nuk di çfarë i them kësaj LDK-je”, ka thënë Imeri.

“Ata që nuk e ka bërë LDK, është duke e bërë Hashim Thaçi. 18 vjet luftë këta veç përfituan, kurgjo s’bonën”, thoshte ai.

Pos vëllait që i kanë vrarë, Hakiun, Imer Imeri ka qenë i burgosur i UÇK-së në Cahan të Shqipërisë. Atje është mbajtur dhe torturuar nga pjesëtarë të UÇK-së. Për këtë krim dhe të tjera, janë dënuar disa pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë Sabit Gecin.

Pavarësisht kësaj djali i Haki Imerit, Katriot Imeri ka vazhduar me akuza ndaj Presidentit Hashim Thaçi, se ka dhënë urdhër për kindapimin dhe vrasjen e tij.

Djali i veprimtarit të LDK-së, thekson ta ketë forcuar edhe më shumë bindjen, se Thaçi ka gisht në vrasjen e babait të tij dy vite pas vizitës që ky i fundit ia kishte bërë familjes Imeri në Vajnikë të Skenderajt, për t’u shfajësuar për rastin.

“Vet fakti që erdhi pas 17 viteve në shtëpinë tonë të “lahet” dëshmon se as kush nuk është me fajtor se Hashim Thaçi për vrasjen e babait tonë dhe vrasjeve tjera që ndodhen në Kosovë  gjatë luftës dhe sidomos pas saj. Përpelitej dhe belbezonte duke e shndërruar vetën në prokuror kundër shokve te tij. Erdhi të bënte be, se nuk  e bëri, gënjeu siç e ka zakon, me premtimin se kjo vrasje dhe shumë të tjera do të ndriçohen. Por sot e asaj dite jo që nuk u zbardhë vrasja e Babait tonë dhe vrasje tjera por u kap edhe më shumë drejtësia në krye me Aleksandër Lumnezin i cili i shërben pushtetit të urdhërdhënsve të vrasjeve politike për të shmangur çdo pistë hetimi, në lidhje me vrasjet politike”, ka deklaruar Imeri. /Insajderi.com